Osteoporoza është një gjendje në të cilën kockat dobësohen dhe mund të thyhen më lehtë. Kockat janë inde të gjalla dhe me kalimin e kohës nuk kanë mundësi që të veterigjenerohen, kështu që fillojnë të dobësohen. Kjo ndodh tek të gjithë, por kur kockat fillojnë të dobësohen shumë shpejt, kjo gjendje quhet osteoporozë.
Zakonisht nuk shfaqet me shenja klinike, dhe për arsyen se në shumicën e rasteve zbulohet pas një frakture që ndodh nga një aksident i vogël ose një rrezimi në tokë. Frakturat më të shpeshta ndodhin ne kyçin e dorës, në artikulacionin koksofemoral dhe në vertebrat e shtyllës kurrizore.
Në këtë të fundit, trupat e vertebrave humbasin lartësine dhe pacienti fillon të kërruset dhe të shkurtohet gjatësia e trupit.
Shfaqet shumë shpesh te gratë, kryesisht pas menopauzës, por mund të shfaqet dhe te burrat. Njerëz që mund të shfaqin osteoporozë janë ata që kanë faktorë rreziku të lartë. Ndër faktorët kryesorë të rrezikut përmenden:
• Gjinia femër, sidomos pas një menopauze të hershme
• Mosha (rreziku rritet pas moshës 50 vjeç)
• Insufiçienca e hormoneve (kryesisht të estrogjenit) pas heqjes kirurgjikale të ovareve ose te mitrës
• Anamnezë familjare osteoporoze
• Fiziku i imët
• Mungesa në ushqyerje (marrje jo adekuate e kalciumit apo e vitaminës D)
• Ushtrimi fizik i pamjaftueshëm, jeta sedentare apo qëndrimi i gjatë shtrirë
• Përdorimi i tepërt i duhanit, mishit, alkoolit dhe kafesë
• Përdorimi i zgjatur i disa medikamenteve si p.sh kortizoni (më shumë se 3 muaj)

Diagnoza e osteoporozës mund të bëhet shumë thjesht me metodën e matjes së densitetit kockor (DEXA), një metodë kjo diagnostikuese, e cila përdor një tip special të rrezeve X për matjen e masës kockore të trupit.
Kjo metodë përdor rrezet X, ndërkohë që doza e rrezatimit ndaj te ciles ekspozohet pacienti/ja është shumë e vogël. Krahasohet me më pak se 1/10 e dozës që merr dikush gjatë një radiografie toraksi dhe është më e vogël se doza ditore e rrezatimit që merr gjithsecili nga ambienti rrethues. Matjes së densitetit kockor duhet t’i nënshtrohen:
• Gratë nga mosha 65 vjeç e lart
• Gratë nën moshën 65 vjeç me faktorë rreziku për frakture
• Gratë gjatë menopauzës, të cilat kanë faktorë rreziku për shfaqje frakturash, si p.sh. fizik i imët, anamnezë frakturash të mëparshme
• Burrat e moshës 70 vjeç e lart
• Burrat nën 70 vjeç por me faktorë rreziku për shfaqje frakturash
• Pacientë me patologji që shoqërohen me masë kockore të ulët ose me pakësim të masës kockore si p.sh patologji kronike infektive të zorrës së trashë (koliti), sëmundje reumatizmale, diabeti, hipertiroidizmi
• Pacientë që marrin medikamente të cilat mund të ulin masën kockore, si p.sh kortizoni
• Pacientë të cilët marrin trajtim për masë kockore të ulët dhe kanë nevojë për vlerësim të rezultateve të trajtimit të tyre
Matja e densitetit kockor është një metodë rezultative për diagnostikimin dhe vlerësimin e shkallës së rëndesës së osteoporozës. Megjithatë, saktësia e saj mund të preket në rastet e pacientëve me fraktura në shtyllën kurrizore ose nga prezenca e ndryshimeve degjenerative hipertrofike të vertebrave.

Ka disa njerëz të cilët nuk mund t’i nënshtrohen matjes së densitetit kockor. Ata janë:
• Gratë shtatzane
• Pacientë të cilët u janë nënshtruar së fundmi ekzaminimeve të tjera diagnostike ku është perdorur lëndë kontrasti,  si p.sh barium apo gastrografi, por kjo eshte e perkohshme.
• Pacientë të cilët kanë kryer më parë, në të njëjtën ditë, shintigrafi të kockave
Zakonisht ekzaminimi  bëhet në zonën lumbare të shtyllës kurrizore dhe në një ose në të dy artikulacionet koksofemorale. Nëse nevojitet, mund të bëhet dhe në pjesë të tjera të trupit apo në të gjithë trupin. Është e rëndësishme të mbahet mend që: ekzaminimi të kryhet çdo herë me të njëjtën aparaturë (nëse është e mundur në të njëjtën klinikë) dhe në të njëjtën periudhë kohore.

Matja e densitetit kockor mund të rezultojë:
NORMALE: Rreziku për frakturë është i vogël.
OSTEOPENI: Kocka është më pak e dobet në këtë gjendje, por rreziku për frakturë vazhdon të jetë i ulët. Gjithsesi duhet të trajtohet dhe të  evitohen apo përmiresohen faktorët e rrezikut.
OSTEOPOROZË: Ekziston rrezik për frakturë dhe kjo gjendja ka nevojë për trajtim mjekësor.
Nëse osteoporoza diagnostikohet pas një frakture kompresive të kolonës vertebrale, koksofemorale apo të kyçit të dorës, atëherë do të trajtohet fraktura dhe ne te njejten kohe fillohet frajtim medikamentoz per osteoporoze.
Trajtimi i osteoporozës është kompleks dhe i vështirë. Çdo pacient është i veçantë, dhe si i tillë duhet trajtuar. Kjo kërkon që të studiohen mirë nga ana e mjekut specialist karakteristikat e pacientit, shkaku i osteoporozës, rezultati i trajtimit. Kujdes: medikamentet që përdoren për trajtimin e osteoporozës mund të shkaktojnë në pacientë të veçantë komplikacione serioze.
Roli i Kalciumit dhe i Vitaminës D është shumë i rëndësishëm. Nevojat ditore të pacientëve nën terapi medikamentoze të osteoporozës janë 1,000-1,200 mg Kalcium dhe 800 IU Vitaminë D. Kjo e fundit prodhohet kur trupi ekspozohet nën rrezet e diellit.
Rekomandohet të ndërpritet duhani, alkooli i tepërt. Rekomandohet gjithashtu gjimnastika dhe ushtrime per permiresimin e balances.
Parandalimi është terapia më e mire.

Artan Bano

Kirurg Ortoped